Standartet e shërbimeve sociale
Çfarë kuptojmë me STANDARDE TË SHËRBIMEVE SOCIALE ?
Standardet përfaqësojnë një nivel të përbashkët të funksionimit dhe të kryerjes së veprimtarisë, që kërkohet të arrihet nga të gjitha llojet e shërbimeve shoqërore. Standardet janë parime të përgjithshme që shërbejnë për të siguruar cilësinë e shërbimeve shoqërore. Ato i drejtojnë shërbimet në plotësimin e nevojave të ndryshuara të përfituesve të tyre dhe të komunitetit të cilit i shërbejnë. Ato përfaqësojnë një mjet për të vlerësuar si nivelin e përmbushjes të nevojave të përfituesve, ashtu dhe të praktikave të shërbimeve shoqërore.
a) Personat në nevojë në qendër të shërbimeve shoqërore – filozofia që drejton standardet.
Një sistem modern i shërbimeve shoqërore ka në qendër të veprimtarisë së tij kërkesat e personave në nevojë. Personat në nevojë përbëjnë jo vetëm objektin e shërbimeve shoqërore, por edhe një aktor të rëndësishëm për zhvillimin e tyre.
Përfituesit e shërbimeve konsiderohen si bashkëpunëtori kryesor i ofruesve të shërbimeve shoqërore në të gjitha drejtimet e veprimtarisë për përmbushjen e këtyre standardeve.
b) Standarde që synojnë të sjellin rezultatet që përfituesit kërkojnë nga shërbimet shoqërore.
Nëse standardet ekzistuese, të përshkruara në rregulloret e institucioneve ekzistuese të shërbimeve shoqërore kryesisht theksojnë standardet organizative, në këtë dokument pikësynimi është zhvillimi I standardeve që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës së përfituesve të shërbimeve shoqërore apo/dhe familjarëve të tyre. Këto standarde kanë të bëjnë me çeshtje të tilla themelore si:
· sa i ndihmojnë shërbimet përfituesit/familjet e tyre për një jetë më të mirë;
· si/sa nxitet pjesëmarrja e përfituesve në realizimin e shërbimeve shoqërore;
· si/sa përmbushen nevojat e tyre emocionale dhe njohëse;
· si/sa përfituesit zhvillohen si individë me personalitetin e tyre, bëhen të pavarur; dhe
· si/sa ndihmohen përfituesit të ruajne lidhjet dhe të kontribuojnë në komunitetin e tyre.
Pra, standardet kërkojnë që rezultatet që arrihen tek përfituesit të jenë qëllimi parësor i shërbimeve shoqërore. Këto rezultate përfshijnë: sigurinë, zhvillimin normal, arritje të interesave personale, përfshirjen dhe integrimin social. Në një kuptim më të përgjithshëm, rezultati që përfituesit/familjet e tyre presin dhe kërkojnë nga shërbimet shoqërore është një jetë me dinjitet si qenie njerëzore.
c. Ngritja e kapaciteteve të komunitetit
Nëpërmjet standardeve që do të zbatohen edhe në shërbimet shoqërore me bazë komunitare, të cilat përbëjnë prirjen e zhvillimit të shërbimeve shoqërore në vendin tonë6, do të kontribuohet edhe në zhvillimin e kapaciteteve të komunitetit. Standardet synojnë gjithashtu të ndihmojnë edhe institucionet rezidenciale që të bëhen më fleksibël, më të hapura, që edhe ato të kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit.
ç. Standarde që pasqyrojnë parimet bazë të të gjitha llojeve të shërbimeve shoqërore
Këto standarde synohet të jenë të zbatueshme në të gjitha llojet e shërbimeve shoqërore dhe për të gjitha grupet në nevojë. Kjo nuk nënkupton standardizim të shërbimeve, pasi nga mënyra sesi janë konceptuar standardet, ato krijojnë hapësira më të mëdha për ofruesit që të zhvillojnë këndvështrimin e tyre në përgjigjen ndaj nevojave të komunitetit. Standardet janë konceptuar si standarde të cilësisë, në kuptimin që ato do të përdoren si mjet për të arritur dhe njëkohësisht për të vlerësuar cilësinë e shërbimit që ofrohet, i cili ndikon në përmirësimin e jetës së përfituesve (familjeve) të shërbimeve shoqërore. Pikërisht për t’ia arritur këtij qëllimi, ato janë formuluar në terma të përgjithshëm dhe krahas çdo standardi janë vendosur disa kritere, që zbërthejnë dhe thjeshtëzojnë kuptimin e tij, duke bërë më të qartë mënyrën e garantimit të tij. Pastaj për çdo kriter janë përcaktuar treguesit për matjen e cilësisë së zbatimit të tij.
d. Standarde që synojnë parandalimin e problemeve sociale
Duke pasur në qendër të vëmendjes nevojat e paplotësuara, shërbimet shoqërore synojnë trajtimin e tyre me qëllim që ato të mos rriten dhe të shoqërohen me probleme të tjera.
Cilat fusha mbulojnë standardet?
1. Të drejtat e njeriut
2. Zhvillimi i personalitetit, pavarësisë dhe integrimit social të përfituesit
3. Kujdesi personal
4. Liria e zgjedhjes
5. Vendndodhja dhe informimi mbi shërbimet që të jenë lehtësisht të arritshme
6. Qëllimi i shërbimit dhe përshtatshmëria
7. Menaxhimi
8. Rrjetet e bashkëpunimit
9. Burimet njerëzore dhe materiale
10. Emergjencat
Kriteret – ÇFARË përmbajnë standardet?
Kriteret që renditen pas çdo standardi synojnë të ndihmojnë ofruesit, përfituesit dhe aktorët e tjerë të shërbimeve shoqërore në kuptimin e qartë të standardit përkatës dhe në zbërthimin e detajeve në kuptimin e standardit. Nëse standardi përcaktohet në terma të përgjithshme, kriteret përcaktohen në terma të veçantë. Kriteret nënkuptojnë në njëfarë mënyrë kërkesa të nevojshme për standardin referues. Kriteret kanë të bëjnë me mënyrën konkrete me të cilën garantohen standardet e shërbimeve shoqërore. Kriteret janë të matshme nëpërmjet treguesve të cilësisë së shërbimeve shoqërore.
Treguesit e cilësisë – MATËS të plotësimit të standardit.
Baza për vlerësimin e arritjes së standardit dhe të kritereve të tij janë “Treguesit e cilësisë”. Treguesit e cilësisë paraqesin ato elemente që shërbejnë si etalon mase, ku do të mbështeten si ofruesit, financuesit, blerësit, inspektorët, vlerësuesit deri tek përfituesit e shërbimeve shoqërore, për të gjykuar nëse një standard i caktuar, apo një kriter i tij janë plotësuar. Si të tillë, treguesit e cilësisë shërbejnë si mjete konkretizimi për të kuptuar se çdo të thotë ta kesh arritur një standard apo kriter të caktuar. Gjithsesi ështe e qartë që treguesit e cilësisë nuk mund t’u shpëtojnë gjykimeve të ndryshme, bazuar në kënaqjen e interesave të përfituesve, familjarëve, profesionistëve, etj.. Prandaj edhe cilësia e shërbimeve shoqërore është vështirë të përcaktohet duke u mbështetur vetëm në gjykimin mbi këta tregues.
LISTA E STANDARDEVE
1. Vendim i Këshillit të Ministrave Nr 822, datë 6.12.2006 “Për standartet e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për personat me aftësi të kufizuar në qendrat rezidenciale dhe ditore”.
2. Vendim i Këshillit të Ministrave Nr 823, datë 6.12.2006 “Për standartet e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për të moshuarit në qendrat ditore”.
3. Vendim i Këshillit të Ministrave Nr 505, datë 13.07.2011 “Për standartet e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje në qendrat rezidenciale, publike dhe jopublike”.
4. Vendim nr. 195, datë 11.4.2007 Për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror, në qendrat rezidenciale, për personat e trafikuar ose në rrezik trafikimi”.
5. Vendim nr. 231, datë 20.3.2013 Për standardet e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për fëmijët në nevojë, në qendrat ditore publike dhe jopublike”.
6. Vendim nr.752, datë 8.9.2010 Për miratimin e standardeve të shërbimit të kujdestarisë për fëmijët në nevojë”.
7. Vendim i Këshillit të Ministrave 572 date 24.06.2015 “Për miratimin e standardeve të shërbimeve në Qëndrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencës”.
8. Udhëzim i ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 597, datë 22.12.2017 Për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesjes shoqëror e, asistencë shtëpiake, për personat me aftësi të kufizuara.
9. Udhëzim Nr. 581, datë 18.12.2017 Për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, asistencë shtëpiake, për të moshuarit.
10. Udhëzim Nr. 582, datë 18.12.2017 Për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, në qendrat shtëpi familje, për fëmijët 16–18 vjeç.
11. Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 430, datë 8.6.2016 “Për miratimin e standardeve të shërbimit të linjës kombëtare të këshillimit për viktimat e dhunës në familje”
12. Udhëzim Nr. 911 datë 27.12.2018 “Për Miratimin e standarteve të ofrimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror në qendrat komunitare shumëdisiplinore”.
13. Udhëzim i ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 816, datë 27.11.2018 “Për miratimin e standardeve të ofrimit të shërbimeve dhe të funksionimit të qendrave të menaxhimit të krizës, për rastet e dhunës seksuale”.
14. Udhëzim Nr.744 datë 15.11.2019 “Për miratimin e standardeve minimale të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për viktimat/ të mbijetuarat/it e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, në qendrat rezidenciale emergjente (afatshkurtëra) publike dhe jopublike (strehëzat emergjente).
15. Udhëzim Nr.394, datë 09.05.2019 “Për organizimin dhe funksionimin e komisionit multidisiplinar, si dhe procedurat dhe zbatimin e standardeve të shërbimit të përkujdesjes alternative për fëmijë në familje kujdestare”.
16. Udhëzim Nr. 252, datë 18.05.2021 “Për miratimin e standardeve minimale për shërbimet e përkujdesit shoqëror për personat LGBTI+ në qendrat rezidenciale publike dhe jopublike, në Shqipëri”.
17. Urdhër Nr 792 dt 20.12.2019 “Për miratimin e standardeve te kujdesit shoqëror të ofruara nga institucionet publike, organizatat joqeveritae( ojf) ose entitetete private për persona ose grupe te rrezikuara ose te prekura nga Hiv/Adis, Tb dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme”.
18. Udhëzim Nr 354 dt 02.06.2022 “Për miratimin e standarteve për shërbimin e strehimit emergjent te sigurtë”.
19. Udhëzim Nr 355 dt 02.06.2022 “ Standartet e shërbimit të integruar levizës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe familjet e tyre dhe manuali i zbatimit”.
20. Udhezim i Ministrit te Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale nr 564, date 5.10.2022″Per miratimin e standarteve per qendrat e trajtimit të femijeve viktima apo deshmitare te abuzimit seksual dhe formave te renda te dhunes”.
21. Udhëzimi Nr. 631, datë 21.11.2022 “Për miratimin e standardeve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore në institucionet rezidenciale, për fëmijët 6–15 vjeç”.
22. Udhëzimi Nr 169 dt 29.03.2024 “ Për miratimin e Standardeve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror 0-5 vjec në qendrat rezidenciale dhe manuali i zbatimit.
23. Udhëzimi Nr 22 dt 12.01.2024 “Standardet e jetesës gjysëm të pavarur dhe të monitoruar për të rinjtë pa përkujdesi prindëror dhe manuali e zbatimit të tyre”.
24. Udhëzimi Nr. 276 datë 27.04.2023 Për miratimin e standardeve të shërbimit të Jetesës së Pavarur për Personat me Aftësi të Kufizuar dhe Manual ii Zbatimit të Tyre”.
25. Udhëzimi Nr.281 datë 17.05.2024 Për miratimin e Kornizës së Standarteve bazë të cilësisë për shërbimet e kujdesit social.