Rreth ndihmës ekonomike

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

Ndihma ekonomike është mbështetja në para, që u jepet familjeve dhe individëve në nevojë, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjit nr. 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr. 597, datë 04.09.2019 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për Ndihmën Ekonomike”.

Kush mund ta përfitojë ndihmën ekonomike?

Përfituese të ndihmës ekonomike mund të jenë:

  • Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
  • Jetimët të cilët nuk janë në institucione;
  • Prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
  • Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
  • Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes;
  • Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë.

Ku dhe kur aplikohet për ndihmë ekonomike?

Familjet pa të ardhura dhe me të ardhura të pamjaftueshme dhe kategoritë e tjera mund të aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku kanë vendbanimin.

Për të përfituar ndihmë ekonomike, kryefamiljari së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashkitë/njësitë ku kanë vendbanimin/gjendjen civile për të aplikuar për ndihmë ekonomike duke paraqitur kopjen e kartës së identitetit të aplikantit, kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët çertifikata) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore.

Si aplikohet për ndihmë ekonomike?

Administratori, në prani të kryefamiljarit, bashkëshortes apo individëve, plotëson on-line në sistemin e NE aplikimin për ndihmë ekonomike, në të cilin përmblidhet informacionin për:

  • demografinë e familjes;
  • arsimin dhe punësimin;
  • llojin e banesës;
  • pasuritë/asetet shtëpiake;
  • të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale.

Informacioni duhet të jetë i saktë, pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë.

Verifikimi i të dhënave

Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga Sistemi Elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit  merret vendimi për këto familje.

Vendimi për Ndihmën Ekonomike

Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror  nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon pranë Kryetarit të Njësisë Vendore vendimin përfundimtar së bashku me listën e familjeve fituese dhe masën e përfitimit, si edhe familjet jopërfituese me arsyet përkatëse të refuzimit.

Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 (tre) muaj tek zyra e administratorit  shoqëror për të deklaruar ndryshimet e gjendjes social ekonomike dhe më pas administratori plotëson dhe hedh në Sistemin Elektronik të NE deklaratën social-ekonomike si dhe verifikon gjendjen social-ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi/refuzimi për kryerjen e verifikimit social –ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.

Procedura e ankimimit të vendimit

Familjet të cilat janë refuzuar për pikë të pamjaftueshme kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe gjithashtu ruajnë të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë.

Ankimimi bëhet  me shkrim pranë njësisë vendore, e cila duhet të kthejë përgjigje brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës. Pas ezaurimit të ankimimit në njësinë vendore, familja ka të drejtë të ankimojë në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe në gjykatë.

Për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga Sistemi i Pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik të kryer nga administratori shoqëror, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% dhe/ose me fonde të buxhetit vendor.

Kategoritë e veçanta që mund të përfitojnë Ndihmë Ekonomike

Viktimat e Trafikimit

Pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

  1. Fotokopjen e kartës së identitetit;
  2. Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit.

Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare

Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike, duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

  1. Urdhër mbrojtje ose urdhër i mënjëhershëm mbrojtje;
  2. Fotokopje e kartës së identitetit të aplikuesit.

Individët që kanë marrë Statusin e Jetimit, që nuk jetojnë në institucionet e përkujdesit

Në muajt e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

  1. Fotokopje e kartës së identitetit të aplikuesit.
  2. Kopje e noterizuar e Statusit të Jetimit;
  3. Vërtetim si punëkërkues i papunë, lëshuar nga Zyra e Punës, për jetimët mbi moshën 18 vjeç.

 

Prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh

Në muajin e parë të pretendimit për ndihmë ekonomike duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror:

  1. Kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike si familje me tre, katër, pesënjakë;
  2. Certifikatë familjare që vërteton lindjen e fëmijëve tre, katër, pesënjakë;
  3. Verifikimi social-ekonomik i familjes nga administratori shoqëror, që është familje në nevojë.

Fëmijët në kujdestari të familjeve kujdestare

Administratori shoqëror i njësisë së qeverisjes vendore, kur kontakton me familje kujdestare të cilat kanë marrë me vendim gjykate të formës së prerë fëmijë në shërbimin e kujdestarisë, ju vë në dispozicion dhe i ndihmon këto familje për të plotësuar formularët të cilët janë bashkëlidhur Vendimit Nr. 149, datë 13.3.2018 “Për kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për evidentimin e familjes kujdestare për fëmijët pa kujdes prindëror dhe masës së financimit për shpenzimet e fëmijës së vendosur në familje kujdestare” dhe Udhëzimit Nr. 394, datë 9.5.2019 “Për organizimin dhe funksionimin e komisionit multidisiplinar, si dhe procedurat dhe zbatimin e standardeve të shërbimit të përkujdesjes alternative për fëmijë në familje kujdestare” , me dokumentacionet si më poshtë vijon brenda muajit:

  1. a) Formulari nr. 1 “Mbi të dhënat e aplikuesit” dhe raporti i përgatitur nga subjekti privat që ofron shërbimin e kujdestarisë për familjen aplikuese kujdestare;
  2. b) Formulari nr.2 “Me të dhënat e detajuara të familjes kujdestare” dhe dokumentacionet e mëposhtme:
  • Certifikatën e gjendjes familjare dhe fotografi të prindërve;
  • Dëshmi penaliteti për anëtarët e familjes mbi 18 vjeç;
  • Raportin mjeko-ligjor që vërteton se prindërit e familjes janë të aftë fizikisht dhe mendërisht;
  • Vërtetim të lëshuar nga qendra e punës apo organet e tatim-taksave, mbi të ardhurat që kanë nga punësimi/vetëpunësimi prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes;
  • Dëftesë të shkollës për fëmijët e familjes kërkuese të cilët janë duke ndjekur shkollën/studimet;
  • Referenca për familjen nga 2 persona (njëri prej të cilëve duhet të jetë një përfaqësues i komunitetit, në të cilën familja jeton);
  1. c) Formulari nr. 3 së bashku me dosjen e fëmijës me dokumentacionet si më poshtë vijon:
  • Certifikatë personale e fëmijës me fotografi;
  • 4 fotografi të fëmijës;
  • Certifikatë familjare e fëmijës;
  • Raportin mjeko-ligjor për gjendjen shëndetësore dhe psikike të fëmijës;
  • Kopje të fletores së fëmijës për vaksinat e kryera;
  • Dëftesën shkollore për fëmijën, nëse fëmija frekuenton një të tillë;
  • Vërtetim nga institucioni i përkujdesit shoqëror, nëse fëmija frekuenton/te një të tillë;
  • Vërtetim mbi të ardhurat financiare të prindërve biologjikë;
  • Vendimin e gjykatës për marrjen në kujdestari nga familja aplikuese kujdestare;
  • Raportet mbi takimet fillestare të fëmijëve dhe familjes;
  • Planin individual të ofrimit të shërbimit të kujdestarisë.

Për më shumë informacion mund të referoheni:

Ligjit nr. 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë”, VKM nr.597, datë 04.09.2019 “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për Ndihmën Ekonomike.”

 


Njoftime
  • 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës Më shumë...
  • Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar Më shumë...
  • Talentet e Fëmijëve të Shtëpisë sonë të madhe Më shumë...
  • Bashkojmë fuqitë për të fuqizuar ligjet për mbrojtjen e fëmijëve Më shumë...
  • Gëzuar 1 Qershorin gjithë fëmijëve të qendrave tona Më shumë...