Rreth shërbimeve sociale

Zmadho tekstin Zvogëlo tekstin

SHËRBIMET E KUJDESIT SHOQËROR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

“Shërbime të kujdesit shoqëror” është një sistem i integruar dhe i organizuar përfitimesh dhe lehtësish, të cilat ofrohen nga profesionistë të fushave përkatëse të subjekteve publike ose jopublike, me qëllim sigurimin e mirëqenies, pavarësisë dhe përfshirjes shoqërore të individëve e të familjeve që kanë nevojë për kujdes shoqëror.
LIGJ Nr. 121/2016 “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në republikën e shqipërisë” pwrcakton
rregullat për sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, të cilat ndihmojnë në mirëqenien dhe përfshirjen shoqërore të individëve e të familjeve që kanë nevojë për kujdes shoqëror.

Kategoritë e përfituesve të shërbimeve të kujdesit shoqëror

1. Të drejtën për të përdorur shërbimet e kujdesit shoqëror e kanë individë ose familje që nuk kanë mjetet minimale të jetesës dhe nuk janë në gjendje që t’i sigurojnë ato me punë apo të ardhura nga pronat ose burime të tjera, si dhe të gjithë individët që janë në pamundësi për të plotësuar nevojat e tyre të jetesës, vetë ose me ndihmën e anëtarëve të familjes, për shkak të kushteve personale dhe sociale.
2. Shërbimet e kujdesit shoqëror përdoren nga shtetasit shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë.
3. Shërbimet e kujdesit shoqëror përdoren edhe nga shtetasit e huaj, personat pa shtetësi dhe refugjatët, por me banim në Republikën e Shqipërisë.
4. Personat, të cilët kanë fituar statusin e refugjatit dhe të mbrojtjes plotësuese në Republikën e Shqipërisë, gëzojnë të drejtën e kujdesit shoqëror njësoj si shtetasit shqiptarë, bazuar në dokumentacionin përkatës, të përgatitur për këtë qëllim nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët, sipas legjislacionit në fuqi për azilin.

Përfituesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror

1. Përfituesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror përfshijnë këto grupe shoqërore:
familjet dhe çdo fëmijë, si dhe fëmijën që gëzon mbrojtje ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi për azilin;
b) personat me aftësi të kufizuara;
c) të rriturit, me probleme sociale, viktimat e dhunës, trafikimit, varësisë së provuar ndaj drogës e alkoolit;
ç) vajzat shtatzëna apo prindi i vetëm i një fëmije deri në moshën njëvjeçare;
d) të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin, që kanë përfunduar periudhën e dënimit dhe kanë nevojë për shërbime të kujdesit shoqëror, me qëllim riintegrimin në shoqëri, si dhe ata që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare me vendim të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët në Republikën e Shqipërisë;
dh) të moshuarit në nevojë.

2. Individi, i cili nuk përfshihet te përfituesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas pikës 1, të këtij neni, ka të drejtë, kundrejt tarifave përkatëse, të kërkojë sistemim të përkohshëm në institucionet e ofrimit të shërbimit, qofshin këto rezidenciale apo komunitare, sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj, deri në mbarimin e rrethanave të veçanta për të cilat ka kërkuar shërbimin.

Kategoritë që nuk përfitojnë shërbime të kujdesit shoqëror

Nuk përfitojnë shërbime të kujdesit shoqëror kategoritë e mëposhtme:
a) shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit;
b) azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilit;
c) shtetasit shqiptarë, shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe luftërave;
ç) personat që vuajnë dënim me heqje lirie, me vendim të formës së prerë të gjykatës

Llojet e shërbimeve të kujdesit shoqëror

1. Shërbimet e kujdesit shoqëror janë të organizuara si shërbime në komunitet, institucione të kujdesit dhe familje për të gjitha kategoritë e identifikuara të përfituesve.

2. Llojet e shërbimeve shoqërore janë si më poshtë:
a) shërbimet parashoqërore;
b) shërbimet në qendrat komunitare, përfshirë qendrat e zhvillimit;
c) shërbimet në qendrat rezidenciale, përfshirë strehëzat;
ç) shërbimet shoqërore në situatë emergjence;
d) shërbimet e kujdesit alternativ për fëmijët pa kujdes prindëror;
dh) shërbimet e specializuara;
e) shërbimi i këshillimit me telefon ose on-line.

3. Shërbimet e kujdesit shoqëror janë shërbime rezidenciale kur është i pashmangshëm dhe i papërshtatshëm ofrimi i tyre në familje apo komunitet.

4. Kërkesa dhe dokumentacioni për të përdorur shërbime të kujdesit shoqëror paraqiten te punonjësi social i njësisë së qeverisjes vendore, pjesë e strukturave të vlerësimit të nevojave dhe referimit në njësitë e qeverisjes vendore.

5. Kriteret dhe procedurat e pranimit në qendrat rezidenciale dhe për përdorimin e shërbimeve në komunitet përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Klasifikimi i shërbimeve të kujdesit shoqëror

1. Shërbimet e kujdesit shoqëror, sipas mënyrës së financimit, klasifikohen në shërbime publike dhe jopublike.
2. Në shërbimet shoqërore publike përfshihen shërbimet e kujdesit shoqëror që ofrohen në qendrat komunitare, qendrat rezidenciale, qendrat ditore ose në shtëpi. Këto shërbime financohen nga Buxheti i Shtetit dhe nga buxhetet vendore të organeve të qeverisjes vendore.
3. Shërbimet jopublike klasifikohen në shërbime fitimprurëse dhe jofitimprurëse. Shërbimet shoqërore fitimprurëse nuk mund të kërkojnë apo përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit dhe ai i bashkive. Shërbimet shoqërore jofitimprurëse gëzojnë të drejtën të kërkojnë apo përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit apo ai i bashkive, vetëm nëse kanë lidhur kontratë me subjektin që ka përgjegjësi për të ofruar shërbimin e kujdesit shoqëror.
4. Shërbimet shoqërore të specializuara janë pjesë e shërbimeve të kujdesit shoqëror, të cilat ofrohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale dhe nga njësitë e qeverisjes vendore në nivel qarku.
5. Në shërbimet shoqërore jopublike përfshihen shërbimet e kujdesit shoqëror që ofrohen në qendrat rezidenciale, në qendrat ditore ose në shtëpi nga subjekte jopublike.

Pranimi në sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror

1. Pranimi në sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror fillon me kërkesë të individit në nevojë, përfaqësuesit të tij, psikologut, por mund të fillojë edhe kryesisht nga punonjësi social i njësisë së qeverisjes vendore kur konstatohet situata e nevojës për shërbime.
2. Kërkesa për të përfituar shërbime të kujdesit shoqëror paraqitet te punonjësi social i njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit në strukturën e posaçme për shërbimet shoqërore të njësisë së qeverisjes vendore.
3. Këshilli bashkiak vendos për miratimin ose refuzimin e kërkesës për pranimin në sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Vendimet e këshillit bashkiak mund të ankimohen në rrugë gjyqësore.
4. Në rast se shërbimi i kujdesit shoqëror për individin nuk ofrohet nga ajo njësi e qeverisjes vendore, kryetari i bashkisë referon rastin te një njësi tjetër e qeverisjes vendore, vetë ose nëpërmjet drejtorisë rajone të Shërbimit Social Shtetëror. Vendimet e kryetarit të bashkisë mund të ankimohen në rrugë gjyqësore.

 


Njoftime
  • 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës Më shumë...
  • Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar Më shumë...
  • Talentet e Fëmijëve të Shtëpisë sonë të madhe Më shumë...
  • Bashkojmë fuqitë për të fuqizuar ligjet për mbrojtjen e fëmijëve Më shumë...
  • Gëzuar 1 Qershorin gjithë fëmijëve të qendrave tona Më shumë...