Rreth vlerësimit Bio-Psiko-Social
Rreth Vlerësimit Bio-Psiko-Social të AK
Vlerësimi për personat me aftësi të kufizuara mendore e fizike gjatë viteve të fundit ka kaluar në një proces reformimi, duke u mbështetur në një vlerësim të ri që nuk merr në konsideratë vetëm diagnozën mjekësore, por edhe faktorët psiko-socialë dhe mjëdisorë që ndikojnë në kryerjen e aktiviteteve bazë të jetës së përditshme në përputhje me moshën.
Ky vlerësim realizohet përmes Komisioneve Shumë-Disiplinore të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar (në vijim KVSHAK), të cilat kanë në përbërjen e tyre punonjës socialë dhe mjekë. Vlerësimi Bio-Psiko-Social në Shqipëri ka nisur pilotimin në vitin 2017 në dy njësi administrative në Qarkun Tiranë, nr. 6 dhe nr. 7. Reformimi është realizuar me mbështjen e projektit të Bankës Botërore “Modernizimi i Asistencës Sociale në Shqipëri”. Në vitin 2019 ky model vlerësimi u shtri në të gjithë njësitë administrative të Qarkut Tiranë dhe në fund të vitit 2021 në Qarkun Durrës dhe Elbasan. Reformimi i skemës së aftësisë së kufizuar ka përfunduar në Janar 2023, duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Në përfundim të reformës janë ngritur 37 KVSHAK në nivele qarku dhe 3 Komisione për Shqyrtimin e Ankesave, të cilët shqyrtojnë ankesat e qytetarëve për vendimet e marra nga KVSHAK në nivel qarku.
37 KVSHAK-të gjatë vitit 2023 kanë vlerësuar 38.434 aplikantë, nga të cilët 33.624 janë përfitues sipas nivele të ndryshme dhe 4810 janë vlerësuar jo përfitues.
Kush mund të aplikojë për t’u vlerësuar në Modelin Bio-Psiko-Social të Vlerësimit të AK?
Për marrjen e përfitimeve të aftësisë së kufizuar duhet të plotësohen kriteret, si më poshtë vijojnë:
- personi duhet të ketë një gjendje mjekësore të vërtetuar të një dëmtimi fizik, mendor, intelektual apo ndijor të lehtë, mesatar, të rëndë ose të thellë;
- duhet të vërtetohen kufizime të lehta, mesatare, të rënda ose të thella, të shkaktuara nga dëmtimi;
- duhet të vërtetohen kufizime mesatare, të rënda, të thella për të kryer veprimtari domethënëse të jetesës së përditshme, të përshtatshme për moshën e personit dhe për të marrë pjesë në jetën shoqërore, ekonomike e politike;
- personi duhet të përjetojë kufizime të konsiderueshme mjedisore dhe të qëndrimit, të cilat ndikojnë në aftësinë për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri;
- personi duhet të jetë i paaftë për punë dhe të mos plotësojë kushtet ligjore për përfitim të pensionit të invaliditetit të punës, sipas ligjit të sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
- personit duhet të mos i ketë lindur e drejta për përfitim të pensionit të pleqërisë/social sipas ligjit të sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë.
Si kryhet Vlerësimi Bio-Psiko-Social i AK?
Qytetari i cili kërkon të vlerësohet për përfitime të aftësisë së kufizuar duhet të plotësojë dokumentacionin e mëposhtëm:
- Formulari i Mjekut të Familjes;
- Formulari i Mjekut Specialist/ QKSHM-ve në rastin e sëmundjeve të shëndetit mendor;
- Ekzaminimet përkatëse sipas sëmundjes;
- Fotokopje ID;
- Certifikatë familjare.
Ky dokumentacion dorëzohet nga qytetari pranë Zyrës së KVSHAK që mbulon vendbanimin e tij dhe do të intervistohet brenda 30 ditëve nga KVSHAK lidhur me vështirësitë për realizimin e aktiviteteve bazë të jetës së përditshme në përputhje me moshën (të tilla, si: të nxënit dhe njohuritë, realizimi i aktiviteteve të përgjithshme, jeta shtëpiake, kujdesi për veten, mobiliteti, marrëdhëniet me të tjerët, aktivizimi në jetën e sociale dhe ekonomike etj.).
Po nëse qytetari nuk është dakord me vendimmarrjen e KVSHAK-së?
Bazuar në Vkm nr. 722, datë 11.11.2019 “Për përcaktimin e masës, të kritereve, procedurave dhe dokumentacionit për vlerësimin dhe përfitimin e aftësisë së kufizuar e të ndihmësit personal, dhe të strukturave përgjegjëse e të detyrave të tyre”, i ndryshuar, Kreu V, Pika 1 “Aplikuesi ka të drejtën e ankimimit për procedurën e vlerësimit në rastet e refuzimit të aplikimit për përfitime për shkak të aftësisë së kufizuar. Ankimimi bëhet me shkrim, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike, nga data e marrjes së njoftimit të vendimit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, pranë komisionit të shqyrtimit të ankesave në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, e cila shqyrton dokumentacionin e ankimuesit, kryen intervistën sipas formularit 6, bashkëlidhur këtij vendimi dhe merr vendimin përfundimtar. Në rastet kur kërkesa pranohet, personit i lind e drejta e marrjes së përfitimeve që nga muaji pasardhës, nga data e marrjes së vendimit për refuzim nga komisioni”.
Çfarë lehtësish sjell Vlerësimi Bio-Psiko-Social i AK?
Vlerësimi Bio-Psiko-Social mundëson identifikimin e nevojave për mbështetje, duke kombinuar pagesat cash me shërbimet e integruara që mundësojnë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në jetën sociale dhe ekonomike. Shërbimet e integruara përfshijnë shërbime sociale, shërbime të aftësimit profesional, punësimit, fizioterapi etj.
Vlerësimi Bio-Psiko-Social mundëson lehtësim dhe reduktim të procedurave dhe dokumentacionit për aplikim dhe përfitim nga pagesa e aftësisë së kufizuar. Kjo ka rritur efiçencën dhe ka shmangur abuzivitetin, duke rritur besueshmërinë dhe cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuar.
Vlerësimi Bio-Psiko-Social ka përshkallëzuar nivelin e pagesave në 4 nivele, duke bërë të mundur që pagesat të përcaktohen sipas nivelit të dëmtimit të funksionimit.
Çfarë përfitimesh të tjera mund të marrë një qytetar me AK?
- Rimbursim i pagesës së energjisë elektrike apo telefonisë;
- Përjashtim nga tarifa vjetore e studimit për studentët të cilët kanë një vendim si përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar dhe studentët që kanë të paktën njërin nga të dy prindërit me aftësi të kufizuara;
- Personat me aftësi të kufizuara që ndjekin shkollën ose trajnimin profesional përfitojnë 200% të përfitimit bazë të aftësisë së kufizuar, ndërsa ata që ndjekin arsimin e lartë përfitojnë 300% të përfitimit bazë;
- Shërbime sociale, ndërmjetësim punësimi, aftësim profesional falë Marrëveshjeve të Bashkëpunimit me AKPA-s, pushtetin vendor, zyrat arsimore, ANAD për gjuhën e shenjave etj.